Secondary Adv

Miratohet buxheti 8.8 mld euro, 100 mln euro për pensionet, nga 1 janari paga minimale 50 mijë lekë

Kuvendi ka miratuar buxhetin 2026, me 8.8 miliardë euro shpenzime dhe rritje prej 500 milionë eurosh, duke synuar rritjen e pensioneve, pagave dhe investimeve, si edhe konsolidimin fiskal.

Të gjitha amendimet e propozuara nga deputetët u rrëzuan gjatë votimit nen për nen. Sipas kryetares së Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, kërkesat shtesë kapnin vlerën 278.9 miliardë lekë, mbi 10% të PBB-së, çka do të cenonte drejtpërdrejt objektivat e konsolidimit fiskal. U pranuan vetëm kërkesat e institucioneve të trajtuara në komisione parlamentare, ku 12 institucione përfituan 504.9 milionë lekë shtesë, kryesisht në sistemin e drejtësisë.

 

Pensione dhe paga

Buxheti i vitit 2026 parashikon zbatimin e formulës së re të rritjes mujore të pensioneve. Fondi i dedikuar për shtesat e pensioneve arrin në 100 milionë euro, ndërsa 16.5 milionë euro janë parashikuar për indeksimin e tyre. Po ashtu, paga minimale do të rritet nga 40 mijë në 50 mijë lekë duke nisur nga 1 janari 2026, ndërsa pagat në administratën publike do të indeksohen me 2.5%.

 

Investime, shëndetësi dhe arsim

Investimet publike për vitin e ardhshëm parashikohen në rreth 1.8 miliardë euro, nga 1.6 miliardë euro këtë vit. Në sektorin e shëndetësisë, fondi për kompensimin e barnave arrin në 13.5 miliardë lekë, ndërsa 1.5 miliardë lekë janë dedikuar për barnat onkologjike.

 

Ministria e Shëndetësisë mbetet institucioni me buxhetin më të madh, 82.2 miliardë lekë. Ajo pasohet nga Ministria e Infrastrukturës me 77.2 miliardë lekë, ku mbi 35 miliardë lekë do të shkojnë për transportin rrugor. Ministria e Arsimit do të ketë 64.8 miliardë lekë për financimin e sistemit arsimor, tekstet dhe transportin falas për nxënësit dhe mësuesit.

 

Të ardhura, borxh dhe rritje ekonomike

Të ardhurat buxhetore për vitin 2026 planifikohen në 8.2 miliardë euro, nga 7.7 miliardë euro këtë vit, të mbështetura kryesisht nga rritja ekonomike, turizmi dhe përmirësimi i administrimit fiskal. Borxhi publik pritet të arrijë në 14.9 miliardë euro, nga 14.2 miliardë euro këtë vit, por me rënie të mëtejshme në raport me PBB-në.

 

Rritja ekonomike për vitin e ardhshëm parashikohet në nivelin 4%, e mbështetur kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi.

 

Sektorë të tjerë

Ministria e Mbrojtjes do të ketë një buxhet prej 58.9 miliardë lekësh, rreth 10 miliardë lekë më shumë se këtë vit, në kuadër të angazhimeve ndaj NATO-s. Ministria e Ekonomisë do të ketë në dispozicion 41.7 miliardë lekë, ndërsa Ministria e Brendshme 35.7 miliardë lekë.

 

Bujqësia vijon të konsiderohet e nënfinancuar. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të ketë 16.2 miliardë lekë, nga të cilat vetëm 7.6 miliardë lekë janë parashikuar për skemat mbështetëse për fermerët.

 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat